Shumëkush mund të njohë Urën e Mesit në Shkodër (foto sipër) si një atraksion me vlerë historike dhe simbolike për historinë dhe kulturën e qytetit të Shkodrës. Ajo qëndron mbi lumin Kir në verilindje të qytetit në afërsi të fshatit Mes. Bie në sy për stilin asimetrik të harqeve, pllaka të lëmuara dhe gjatësine e saj mbi 100 metra. E ndërtuar që nga periudha osmane për te lidhur Drishtin me Shkodrën, ura e Mesit gëzon statusin monument kulture i kategorisë së parë. Jo të gjithë mund të dinë për një atraksion tjetër që ndodhet pranë saj, Urën e Shtrenjtë.

Rruga automobilistike drejt Prekalit shoqëron lumin e Kirit që depërton në zonë kodrinore dhe formon një kanion të veçantë. Gjatë muajve të verës, rrjedha e lumit zvogëlohet, por mbetet e konsiderueshme. Ujërat e tij të pastra u lejojnë vëzhguesve të shohin peshq që notojnë kundër rrymës. Lugina e Kirit është e pasur me të mbjella misri, kultivime bletësh, bagëti, qepë, bishtaja dhe të tjera. Formacionet e shkëmbinjëve gëlqerore janë karakteristikë me shtresa të petëzuara nga tjetërsimi, ngjyrë të bardhë dhe shpesh të kuqerremtë. Tekstura agresive e kanionit thyet nga vaskat e ujit ku mund të zbresësh e të lahesh. Në stinën e ngrohtë, shumë vizitorë preferojnë freskinë e lumit, pse jo dhe trampolinat natyrale. Dikush ben “hedhje me palosje” ose duke bllokuar hundën, apo hedhje në grup dorëpërdore. Prindërit monitorojnë nga lokalet sipër femijët e tyre dhe konsumojnë ushqimin apo pije freskuese.

Në fshatin Kir ndodhen gjithashtu burimet karstike nga ku zë fill dhe rrjedha e lumit. Nëse ke arritur të gjesh një vend parkimi, mundësisht sa më afër tabelës së ndryshkur blu me shkrim të bardhë: “Ura e Shrejte”, mund të fillosh zbritjen për tek ura. Në mbërritje, mbi urë, te dyja krahët ofrojnë pamje interesante. Vetëm në krahun e djathtë ekziston mundësia per të zbritur në kanion. Kjo zbritje kërkon kujdes, pasi shtegu kalon nëpër shkëmbinj të mprehtë; këpucët e përshtatshme janë thelbësore, sandalet ose shapkat nuk janë një opsion. Ura e Shtrenjtë është tashmë një konstruksion betoni pasi ura origjinale është shembur. Para disa vitesh, gjatë dimrit, prurjet dhe niveli i ujit i cili e mbulonte komplet urën e ka marrë me vete.

Për të gjithë aventurierët që duan të zbulojnë më shumë në ketë zonë mund të shkojnë edhe tek shpella e Zhylës në Prekal. Brenda saj, në hyrje, ndodhen një tavolinë dhe karrike. Kamarieri i lokalit thotë se freskia natyrale aty është me e mirë se kondicioneri.

Kanioni i Urës së Shtrenjtë mbetet pika më interesante në Lumin i Kirit. Megjithatë nuk ezauron të gjitha veçantitë e këtij lumi të cilat meritojnë një artikull më vete. Nëse je një natyrëdashës i tipit ‘wild’ ke gjithmonë një arsye për t’u rikthyer në këtë zonë.

Për më shumë fotografi > Galeri