Është e vështirë të nisësh temën e sublimes në aspektin e natyrës pa përmendur Kant, i cili thotë se sublimja është “ajo çka është Absolutisht Madhështore“. Ai vazhdon më tej dhe e ndan sublimen në matematike dhe dinamike por ne do të fokusohemi tek e para. Pra ky përkufizim thotë se sublimja ka të bejë me madhësinë, me dimensionin fizik. Përse na pëlqen një pamje në natyrë dhe e kërkojmë përsëri të njëjtën eksperiencë? Ndoshta natyra ka brenda përgjigjen?

Pamje nga maja Berizhdolit
Pamje nga maja e Berizhdolit

Duket sikur disi e dimë përgjigjen por kemi vështirësi të artikulojmë. A i përket sublimja natyrës apo diçkaje tjetër? Përgjigjja është edhe po edhe jo në sensin që diçka ndodh tek ne dhe na “prek” kur shikojmë hapësira apo objekte të mëdha në natyrë. Kjo do të thotë që sublimja varet edhe nga natyra por dhe nga personi që vëzhgon. Por çfarë ndodh në të vërtetë në momentin që shikojmë një peisazh? Proçesi i shikimit është vërtetë i komplikuar dhe ndoshta akoma nuk i dimë të gjitha detajet se si funksionon. Sipas shkencës dhe filozofisë në proçesin e shikimit njeriu aktivizon aftësite identifikuese. Këto aftësi janë mënyra se si ne i japim kuptim gjërave që perceptojmë. Po mar disa shembuj: ne shikojmë një hije sepse e dimë që nje objekt bllokon kalimin e dritës, ose dimë që gjërat që janë larg duken më të vogla se gjërat që janë afër (perspektiva) etj. Kur shikojmë një peisazh, sasia e informazionit është jashtëzakonisht e madhe, dhe aftesitë identifikuese funksionojnë me të njejtën lehtësi sikur të shikonim diçka të thjeshtë.

Lugina e Valbones

Në këtë moment sublim, kur njeriu si legjislator i natyrës, pra ai që gjeneron këtë imazh, me lehtësi të madhe, ndjen nje sens suprem të vetes mbi natyrën, si të thuash gjithë kjo hapësirë gjen vend brenda tij pa problem. Përdorimi në sasi të madhe të fakulteteve konjitive (proceseve identifikues) na bën të ndihemi një kafshë-racionale do të thoshte Kant sepse ne shohim çfarë kuptojmë. Pra në këtë moment pikërisht ne identifikohemi si qënie ekstremisht dhe vetëm racionale që është një atribut specifikisht vetëm i njeriut. Vetëvetiu ndodh një proçes i dyfishtë: identifikim dhe diferencim midis natyrës dhe njeriut. Ne identifikojmë natyrën por dhe natyra na identifikon ne, jo vetëm si qënie-racionale, por dhe si e vetmja qënie që mund të mendojë dhe të reflektojë mbi këte eksperiencë. 

Qet Harushe

Është e vërtetë që ka shumë njerëz që mundet që të mos ju interesojë një peisazh. Normalisht lind pyetja pse, që pas kesaj analize, të bën të mendosh se pyetja e saktë duhet të jetë: a mund të gjejmë Sublimen brenda nesh? Më parë ju pergjigja me edhe po edhe jo kësaj pyetje, për arsye sepse jo të gjithë njerëzit i kanë njësoj fakultetet konjitive. Pra “dikush sheh veten më shumë dhe dikush sheh veten më pak” në natyrë. Natyra në këtë rast është një lloj testi ose skaneri i cili skanon aftësite tona konjitive. Këto aftësi, kanë dhe një lloj funksioni të lidhur me objektivat apo instiktet që kemi për mbijetesë që janë gjithsesi një aspekt tjetër ekzistencial i njeriut.

Perëndim nga mali i Djatit

Me pak fjalë të shohësh do të thotë të njohësh, dhe informacioni është një lloj mjeti që na bën superior, jo në aspektin e supremacisë, por në shkallën e ekzistencës dhe identiteti që karakterizon njeriun si një qënie racionale që mendon dhe reflekton. 

Të shohësh hapësira të mëdha, të shohësh peisazhe, perëndime, distanca planetare na ndihmon të identifikojmë veten tonë si qënie në dimensionin e kafshës-racionale. Dimensionet e mëdha për ne janë absolutisht madheshtore (sublime) sepse ato na bëjnë të ndihemi absolutisht njerëzor, dhe ne do të vazhdojmë ti kërkojmë.