Shumëkush e njeh Urën e Mesit në Shkodër (në foton e sipërme) si një atraksion me vlerë historike dhe simbolike për kulturën e qytetit. Ajo qëndron mbi lumin Kir, në verilindje të Shkodrës, në afërsi të fshatit Mes. Ura bie në sy për stilin asimetrik të harqeve të saj, pllakat e lëmuara dhe gjatësinë prej mbi 100 metrash. E ndërtuar në periudhën osmane për të lidhur Drishtin me Shkodrën, Ura e Mesit gëzon sot statusin e Monumentit të Kulturës të kategorisë së parë. Por, jo të gjithë e dinë se pranë saj ndodhet një tjetër atraksion: Ura e Shtrenjtë.
Rruga automobilistike drejt Prekalit shoqërohet nga rrjedha e lumit Kir, i cili depërton në një zonë kodrinore dhe formon një kanion të veçantë. Gjatë muajve të verës, rrjedha e lumit zvogëlohet, por mbetet ende e konsiderueshme. Në fshatin Kir ndodhen burimet karstike nga ku zë fill dhe rrjedha e tij. Ujërat transparente zbulojnë shtratin dhe peshqit që luftojnë rrymën. Lugina e Kirit është një zonë bujqësore e pasur, e njohur për kultivimin e misrit, qepëve, bishtajave dhe për blegtorinë. Gjithashtu, ajo është e shquar për formacionet e saj shkëmbore gëlqerore. Këto shkëmbinj karakterizohen nga shtresa të petëzuara nga erozioni, me ngjyra që variojnë nga e bardha në të kuqërremtë. Tekstura e ashpër e kanionit thyhet nga pishinat natyrale, ku mund te zbresësh për tu freskuar. Gjatë verës, vizitorët vijnë për të shijuar freskinë e lumit dhe për t’u hedhur nga shkëmbinjtë e lartë, që shërbejnë si trampolina natyrore. Disa bëjne “hedhje me palosje”, të tjerë hidhen në grup, duke u kapur nga duart. Nderkohë, prindërit i vëzhgojnë fëmijët e tyre nga bankinat e sipërme, duke shijuar ushqimin ose pije freskuese.

Nëse e gjen një vend parkimi — mundësisht afër tabelës blu me shkrimin “Ura e Shtrejtë” — mund të fillosh zbritjen drejt urës. Në fillim, mbi urë, të dyja anët ofrojnë pamje spektakolare të kanionit. Megjithatë, mundësia për të zbritur në kanion ekziston vetëm në anën e djathtë. Kjo zbritje kërkon kujdes: shtegu kalon nëpër shkëmbinj të mprehtë, kështu që këpucët e forta sportive janë absolutisht thelbësore; sandalet ose shapkat nuk janë aspak të përshtatshme.
Duhet theksuar se Ura e Shtrenjtë e sotme është një ndërtesë betoni. Ura origjinale u shkatërrua para disa vitesh gjatë një dimri të stuhishëm, kur prurjet e mëdha ujore e mbuluan plotësisht dhe e shembën.

Për të gjithë aventurierët që duan të zbulojnë më shumë në ketë zonë mund të vizitojnë shpellen e Zhylës në Prekal. Brenda saj, në hyrje, ndodhen një tavolinë dhe karrike. Kamarieri i lokalit thotë se freskia natyrale aty është me e mirë se kondicioneri.
Kanioni i Urës së Shtrenjtë mbetet pika më interesante e lumit Kir. Megjithatë, ai nuk e përfaqëson të gjithë diversitetin e këtij lumi, i cili me të vërtetë meriton një artikull më vete. Nëse je një dashamirës i natyrës së egër, gjithmonë do të gjesh një arsye për t’u rikthyer në këtë zonë.
Për më shumë fotografi > Galeri

Graphic Designer, Photographer, Publisher