Jugu i Shqipërisë ofron disa nga plazhet më bukura dhe më të egra të gjithë Gadishullit Ballkanik. I lagur nga deti Jon, nga gjiri i Vlorës deri në Ksamil, bregdeti detar Shqiptar është i larmishëm me pjesë të paprekura nga fluksi veror. Kjo zonë është e famshme për ujin e kaltër transparent dhe gjire që kafshojnë në det, duke krijuar peizazhe mbresëlënëse. Ndryshe nga plazhet e tej-urbanizuara, plazhet në jug mbanjë një karakter më të qetë dhe më natyral. Gjethet e harlisura të ullishteve dhe shkëmbinjtë e pjerrët janë shtrat i plazheve me rërë të imët ose me guraleca, siç janë ata të Dhërmiut, Himarës, Lukovës dhe Borshit. Këtu, thjeshtësia e plazheve të egër, ku shpesh ka vetëm një çadër dhe një bar, bashkëjeton me luksin e plazheve moderne me shërbime të plota. Për çdo vizitor, jugu ofron një përvojë unike bregdetare: nga kënaqësitë e thjeshta të një dite me diell në një shpellë të izoluar, deri te aktivitetet sportive në ujërat e kthjellëta të plazheve të gjera.

Plazhi i Potamit, i vendosur në një gji të rrethuar nga shkëmbinj dhe kodra, është një plazh me peizazh piktoresk. Ai përbëhet kryesisht nga zall, por ka edhe pjesë me rërë. Ujërat e këtij plazhi janë të pastra dhe me një ngjyrë të kaltër në të gjelbër. Përbehet nga derdhja e ujërave të pastra nëntokësore nga malet e Himarës.
Atmosfera këtu është e qetë dhe relaksuese, edhe pse plazhi është i frekuentuar, zakonisht nuk është shumë i zhurmshëm. Për sa i përket shërbimeve, në plazh ofrohen çadra dhe shezlongë me qira (me çmime prej rreth 10-15 euro), restorante dhe bare që shërbejnë ushqim tradicional dhe të freskët (veçanërisht peshk), si dhe dushe dhe kabina zhveshjeje.
Duke qenë se uji është i cekët në hyrje, plazhi është i përshtatshëm si për familje me fëmijë ashtu edhe për grupe miqsh. Afërsia me qytetin e Himarës, pamja dhe qetësia e tij e bëjnë atë një destinacion për t’u rikhtyer.

Plazhi i Livadhit është një plazh me terren kryesisht të përbërë nga zall i bardhë dhe i imët, me disa pjesë me guralecë. Ujërat e tij kanë një ngjyrë të bruztë ose bojëqielli të thellë, duke e bërë atë vend piktoresk. Plazhi shtrihet në veri të Himarës, nën Kala, dhe është i rrethuar nga kodra të gjera me pisha, duke krijuar një kombinim të mrekullueshëm midis detit dhe gjelbërimit. Pavarësisht se ofron shumë shërbime si restorante, hotele dhe bare me ushqime deti dhe kuzhinë tradicionale Shqiptare, plazhi ka ruajtur një pjesë të qetësisë së tij. Për ata që preferojnë një eksperiencë më të lirë, ka edhe zona publike ku mund të vendosësh çadrën dhe peshqirin tënd.
Përveç se është një plazh masiv dhe i gjerë, në të dyja anët e Plazhit të Livadhit ndodhen shtigje për eksploruesit që dëshirojne të ecin, në vend që të qëndrojnë në çadër. Në anën e djathtë, shtegu kalon në Gjirin e Akuariumit dhe vazhdon më tej deri në Jalë. Në anën e majtë, një shteg i rrethuar me bimësi, përfundon në Gjirin e Spilesë.

Plazhi i Dhërmiut, i vendosur rreth 42 km në jug të Vlorës, është një nga plazhet më të njohura të bregdetit Shqiptar, me një pamje natyrore të bukur ku malet puqen me detin. Plazhi karakterizohet nga guralecë të vegjël dhe të bardhë, që i japin ujit një shkëlqim të veçantë. Ujërat e tij të kthjellët janë të përshtatshme për not dhe zhytje, por thellësia e tyre rritet shpejt, prandaj këshillohet kujdes me fëmijët. Atmosfera këtu është energjike dhe e gjallë, veçanërisht gjatë verës, me festa në plazh që zgjasin deri në agim. Gjatë bregut ofrohen shërbime të ndryshme, duke përfshirë çadra, shezlongë, restorante dhe hotele. Për ata që preferojnë një ambient më të qetë, në afërsi gjenden edhe plazhe si Drimadhe, Palasa dhe Gjiri i Piratëve. Dhërmiu është një destinacion si për pushime të relaksuara ashtu edhe për argëtim dhe jetë të natës.

Plazhi i Krorëzit është një nga plazhet më të bukura dhe jo shumë të njohur të bregdetit jugor të Shqipërisë, i vendosur midis Dhërmiut dhe Ksamilit. Ai është i njohur për ujërat e tij të tejdukshme, rërën e imët të bardhë dhe qetësinë absolute që ofron. Plazhi i Krorëzit është i rrethuar nga shkëmbinj. Këta shkëmbinj e bëjnë plazhin një gji të izoluar dhe i shtojnë bukurisë së tij natyrore. Për shkak të vendndodhjes së tij, i rrethuar nga male dhe natyrë të virgjër, plazhit mund t’i qaseni vetëm me varkë (p.sh. nga Kakomeja, Borshi apo Saranda) ose me një ecje në këmbë. Kjo e bën atë destinacionin e duhur për ata që kërkojnë një përvojë aventureske. Vizitorëve u këshillohet të marrin me vete ushqim dhe ujë, si dhe të veshin rroba dhe këpucë të përshtatshme për ecje.
Plazhi i Krorëzit është perfekt për not, snorkeling, dhe eksplorim. Mund të vizitosh shpellat e vogla që ndodhen aty pranë, ose thjesht të shijosh peizazhin
Krorëzi është një destinacion i mrekullueshëm për ata që duan të eksplorojnë Shqipërinë e vërtetë: atë me plazhe të egra dhe të paprekura.

Plazhi i Pasqyrave, i njohur edhe si “Mirror Beach”, është një plazh karakteristik dhe tërheqës në Rivierën Shqiptare. Ndodhet rreth 7 kilometra nga Saranda rrugës për në Ksamil. Ai është bërë i famshëm për ujin e tij me nuanca, i cili e reflekton dritën e diellit duke i dhënë një efekt pasqyre. Ky plazh është i lehtë për t’u arritur me makinë, edhe pse pjesa e fundit e rrugës është e pa-asfaltuar. Ai ofron shërbime si bare, restorante me prodhime deti, çadra dhe shezlongë, si dhe një zonë parkimi. Përreth plazhit ka peizazhe natyrale me shkëmbinj të thepisur dhe një ishull të vogël shkëmbor për tu eksploruar. Falë ujit të pastër dhe të kthjellët, plazhi është i përsosur për të notuar dhe per të bërë kajak.

Plazhi i Ksamilit është një nga destinacionet turistike më të njohura në bregdetin Shqiptar. Ai ndodhet vetëm 12 kilometra në jug të qytetit të Sarandës dhe është i famshëm për pamjen e tij “tropikale”, ku përzihen ujërat e kthjellëta blu, rëra e bardhë dhe katër ishuj të vegjël të gjelbër përballë bregut. Këta ishuj mund të vizitohen lehtësisht me varkë, kajak apo madje duke notuar. Për shkak të ujërave të qeta dhe të cekëta, plazhi është shumë i përshtatshëm për familje me fëmijë. Në Ksamil gjeni të gjitha shërbimet e nevojshme: restorante dhe bare me prodhime deti, shezlongë dhe çadra me qira, si dhe mundësi për sporte ujore. Gjatë verës, plazhi mund të jetë shumë i ngarkuar, ndaj këshillohet të vizitoni në muajt qershor ose shtator për një atmosferë më të qetë.

Nga porti i Himarës mund të nisesh me varkë në të dy drejtimet, si në veri dhe në jug dhe të hasësh një sërë plazhesh të pabesueshme dhe vendesh të pazbuluara. Secili prej tyre ka karakterin e vet të veçantë. Kjo shumëllojshmëri natyrore e bën Rivierën Jugore të Shqipërisë një destinacion për çdo lloj udhëtari, nga ata që kërkojnë aventurë deri te ata që dëshirojnë vetëm të relaksohen.

Graphic Designer, Photographer, Publisher